Kumtesë për shtyp
4 qershor 2010Bordi i Këshilli të Mediave të Shkruara të Kosovës, në mbledhjen e tij të sotme, shqyrtoi tri ankesa që ishin parashtruar dhe mori këto vendime.
Ankesa e avokatit Hasan Jashari, mbrojtës të interesave të Lulzim Rexhes, ish punëtor i shtypshkronjës së Interpress R. Company Kosova Sot i cili pësoi një fatkeqësi në punë, më 13 tetor 2004, kur humbi një dorë deri në nën bërryl. Kjo ka të bëjë me përgjigjen e tij të pabotuar në gazetën Kosova sot pas serisë së artikujve të kësaj gazete më datë 14 prill 2010.
Ai, sikurse edhe gjyqtarja e Gjykatës Komunale në Prishtinë, Makifete Saliuka, kërkuan nga kjo gazetë që të ju botohen edhe reagimet e tyre, por kjo nuk ndodhi. I dëmtuari Lulzim Rexha ka arritur të realizojë disa të drejta nga gjykimet e të tria instancat gjyqësore të Kosovës.
Gazeta Kosova Sot nuk e botoi as përgjigjen e avokatit të Lulzim Rexhës, me çka shkeli Kreun IV të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës ( E drejta për tu përgjigjur).
KMSHK i bënë thirrje gazetës Kosova Sot të gjejë mënyrën dhe gjuhë të përbashkët me avokatin Hasan Jashari për të përgatitur për botim një version të ngjeshur të letrës së tij si përgjigje, dhe të liruar nga gjërat e tepërta e aq më pak nga fyerjet. Lidhur me ankesën e Auditorit të Përgjithshëm të Kosovës, Lage Olofsson, kundër gazetës Lajm pas botimit më 12 maj 2010, të një draft raporti të këtij Auditori me titull: Udhëzime pa mbulesë e që ka të bëjë me pasqyrat financiare të Ministrisë së Shëndetësisë së Kosovës për vitin 2009, KSHMK konstatoi se në këtë rast nuk ka shkelje të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës.
Gazeta Lajm ka shfrytëzuar gjeturinë e saj dhe ka siguruar atë draft raport, duke e pasqyruar në gazetë pa ndryshime që respekton Kreun II mbi raportimin e së vërtetës, si dhe ka respektuar Kreun IV të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës ( e drejta për tu përgjigjur) kur botoi në tërësi përgjigjen e Auditorit të Përgjithshëm të Kosovës. Gazeta Lajm gjithashtu ka kërkuar edhe prononcimin e Ministrisë së Shëndetësisë lidhur me këtë draft raport konfidencial, por nuk ka arritur të marrë asnjë përgjigje. Sipas Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës gazeta Lajm do të duhej ta botojë edhe këtë dokument final kur të jetë gati, në të mirë te informimit të plotë te opinionit.
Duke shqyrtuar ankesën e Zyrës për Marrëdhënie me Publikun, nënshkruar nga nënkolonel Uwe Schmelzeis, të KFOR-it në Prizren, kundër gazetës Express e cila ribotoi më 17 maj 2010, një artikull nga gazeta zvicerane Weltwoche me titull: Të dehur, të lazdruar, KMSHK shqyrtoi kërkesën e kësaj Zyre që gazeta Express të botojë disa korrigjime. Ato kanë të bëjnë me dy emra që nuk përkojnë me funksionet e larta të personave që përmenden në artikullin e përkthyer si dhe të sqarohet se fotografia e ushtareve duke vallëzuar në një Kamp Ushtarak nuk është e Zviceraneve ose Gjermaneve, por e KFOR-it Grek, që nuk kanë të bëjnë me artikullin nga Weltvoche.
KMSHK konstaton se gazeta ka shkelur Kodin e Mediave të Shkruara në pikën që ka të bëjë me mosbotimin i kërkesës për korrigjim edhe të atyre lëshimeve minore gjatë përkthimit. KMSHK në opinionin e tij kërkon qe gazeta Express dhe ankuesi të gjejnë një gjuhë të përbashkët për botimin e përgjegjës së pabotuar deri më tani.