Vendim i Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës ndaj ankesës së z. Selman Bogiqit, kundër gazetës "Koha Ditore"
28 dhjetor 2009Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës, në mbledhjen e tij të mbajtur, datë 8 dhjetor 2009, duke vendosur sipas ankesës së parashtruesit, z. Selman Bogiqi nga Prishtina, me datë 28.10.2009 kundër gazetës Koha Ditore mori këtë
VENDIM
Nuk miratohet ankesa
ARSYETIMI
Parashtruesi i ankesës, z. Selman Bogiqi, nga Prishtina ka paraqitur ankesë kundër gazetës Koha Ditore me pretendim se kjo gazetë, me dy artikuj të botuar me datë 14 dhe 24 korrik 2009 ka publikuar pohime të pavërteta dhe shpifje, me qëllim që të dëmtohet reputacioni i tij dhe të pengohet rizgjedhja e tij në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë.
Ankuesi pohon se gazeta Koha Ditore pa hulumtime dhe pa u mbështetur në fakte ka publikuar se Selman Bogiqi, hetohet për katër vepra penale të parapara me Kodin Penal të Kosovës. Poashtu parashtron se gazeta, në mënyrë të pavërtetë ka botuar faktin se Selman Bogiqi nuk ka lajmëruar pasurinë në Agjencionin Kosovar për Antikorrupcion.
Pas diskutimit të gjithanshëm për secilën nga pikat e ankesës veç e veç dhe shqyrtimit të ankesës në tërësi, bordi i KMSHK-së njëzëri vendosi që ankesa e Selman Bogiqit kundër gazetës Koha Ditore nuk miratohet.
Paraprakisht, nga të dhënat e Zyrës së KMSHK-së, u konstatua se parashtruesi Selman Bogiqi, ankesën e kishte paraqitur jashtë afatit të paraparë sipas Rregullave të Procedurës që është një muaj nga data e publikimit, por përkundër këtij fakti vendosi që ankesën ta marrë në shqyrtim dhe vendosje, me qellim të vërtetimit të gjendjes faktike lidhur me bazueshmërinë e pretendimeve që përmbante ankesa. Me këtë fakt ishte dakord edhe përfaqësuesi i gazetës Koha Ditore i cili gjithashtu ka propozuar që kjo ankesë të shqyrtohet.
KMSHK gjendjen faktike e vërtetoi pas deklarimeve të hollësishme të Redaksisë Koha Ditore, përgjigjeve të marra nga pyetjet e Zyrës së KMSHK-së dhe krahasimit të dokumentacionit me shkrim.
Bordi i Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës ishte unanim në konstatimin e faktit se artikujt e lartpërmendur ishin botuar në kohën kur ankuesi gjendej nën hetime për katër vepra penale, dhe atë nga neni 305, 311, 343 dhe neni 345 të Kodit Penal të Kosovës, ku rezulton se gjatë procedurës së hetimeve nga ana e Prokurorit Publik Special janë ndërmarrë veprime në drejtim të veprave të lartpërmendura. Ndërsa nuk është kontestues fakti se pas përfundimit të hetimeve, ankuesi Bogiqi ka qenë i akuzuar për një vepër penale nga neni 347 të Kodit Penal të Kosovës. Pra, gazeta Koha Ditore kishte botuar artikullin bazuar në të dhënat që kishte marrë nga Zyra e Prokurorit Publik.
Lidhur me pretendimin e ankuesit për sa i përket deklarimeve të pasurisë së tij pranë Agjencionit për Antikorrupcion, KMSHK në bazë të shkresës zyrtare të Agjencionit Kosovar për Antikorrupcion të datës 28.07.2009, vërtetoi se ankuesi edhe pse për vitin 2009 ka qenë i detyruar të deklarojë ndryshimet eventuale në gjendjen e pasurisë së tij për vitin paraprak, pra për vitin 2008, një gjë të tillë nuk e kishte bërë.
KMSHK gjithashtu konstatoi se apostrofimi i emrit të ankuesit në artikullin e Kohës Ditore datë 24.7.2009, me titull: Arrestohen 11 avokatë, një gjyqtar dhe një zyrtar i sigurimeve është një informacion që jep numrin dhe emrat e gjyqtareve të cilët ishin larguar nga Gjykata e Qarkut e Prishtinës që prej disa vite më parë, duke mos e patur temë shtjellimi lëndën e vetëm të ankuesit Selman Bogiqi.
Pas vërtetimit e të gjitha këtyre rrethanave, KMSHK nuk miratoi ankesën e Selman Bogiqit, me që nuk konstatoi se në shkrimet e përmendura është bërë shkelje e cilësdo rregull të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës.
KMSHK konstatoi se Selman Bogiqi asnjëherë nuk i ka shkruar gazetës Koha Ditore kundërshtimet e tij dhe se gazeta Koha Ditore bazuar në Kodin e etikës, e ka botuar edhe vendimin e Gjykatës në Prizren për ankuesin Selman Bogiqi.
Bazuar në atë që u arsyetua më lartë, KMSHK vendosi si në dispozitiv të këtij vendimi.
- Vendim i Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës ndaj ankesës së Zyrës për Informim e QKUK-së,kundër gazetës Infopress
- Opinion i Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës ndaj ankesës së KFOR-it Gjerman,Prizren, Uwe Schmelzeis, Nënkolonel dhe Shef i Zyrës për Marrëdhënie me Publikun, kundër gazetës
- Vendim i Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës ndaj ankesës së Auditorit të Përgjithshëm, Lage Olofsson, kundër gazetës Lajm
- Vendim i Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës ndaj ankesës së Hasan Jasharit,avokat nga Prishtina, kundër gazetës Kosova Sot
- Vendim i Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës ndaj ankesës së Makifete Saliuka,Gjykatëse e Gjykatës Komunale të Prishtinës, kundër gazetës Kosova Sot