Kodi i Mediave të Shtypura të Kosovës
Preambula
- Ky Kod, i derivuar nga standardet ekzistuese ndërkombëtare të praktikës së gazetarisë, mëtohet të shërbejë si bazë për sistemin vetërregullues i cili do të konsiderohej profesionalisht dhe moralisht i obligueshëm për gazetarë, reporterë, redaktorë, pronarë dhe botues të gazetave dhe periodikëve.
- Gazetarët dhe redaktorët do të respektojnë parimet etike në vijim dhe do të mbrojnë integritetin profesional të gazetarisë.
- Redaktorët dhe botuesit do të sigurojnë që i mbarë stafi relevant punues është i informuar për këtë Kod. Tutje, ata do të sigurojnë respektimin e të gjitha dispozitave të këtij Kodi.
I. Dispozitat e përgjithshme
1. Është detyrë e gazetarëve dhe e botuesve të respektojnë të drejtën e qytetarëve për informim me kohë dhe me rëndësi. Gazetarët dhe botuesit do të mbrojnë parimet e lirisë së informimit, të drejtën në komentim të drejtë dhe në gazetari kritike.
2. Shtypi në Kosovë do të respektojë standardet ndërkombëtare të mirësjelljes dhe të llojllojshmërisë etnike, kulturore dhe fetare.
3. Gazetarët dhe redaktorët nuk do të inkurajojnë, qëllimisht apo tërthorazi, diskriminimin dhe jotolerancën.
4. Gazetarët nuk do të veprojnë si përfaqësues të opinionit publik. Mediat nuk mund t'i zëvendësojnë funksionet specifike të autoriteteve apo institucioneve publike.
5. Vëzhgimi kritik i implementimit të pushtetit politik dhe ekonomik do të jetë ndër obligimet qenësore të shtypit.
6. Organizatat mediale / të lajmeve do të dëshmojnë transparencë në çështjet e pronësisë dhe të menaxhimit të mediave, duke u mundësuar kësisoj qytetarëve qartësi rreth identitetit të pronarëve dhe të sasisë së interesit të tyre ekonomik në media.
Il. Raportimi i të vërtetës
1. Gjatë punës së tyre, gazetarët dhe redaktorët do të sigurojnë respekt për të vërtetën faktike dhe për të drejtën e publikut që ta dijë të vërtetën.
2. Gazetarët dhe redaktorët, në parim duhet të mbështeten në burime të identifikueshme të informacioneve.
3. Gazetat dhe publikimet janë të obliguara të mbrojnë identitetin e atyre të cilët ofrojnë informacione në konfidencë, pavarësisht nëse kjo është kërkuar paraprakisht apo jo.
4. Duhet të bëhet dallim i qartë ndërmjet lajmeve dhe opinioneve. Lajmi nënkupton informacion të përbërë nga faktet dhe të dhënat, kurse opinionet bartin mendime, ide, besime apo gjykime vlerësuese nga ana e botuesve, gazetarëve dhe redaktorëve.
5. Gazetarët dhe publikimet e tyre kanë obligim profesional që me kohë të korrigjojnë çfarëdo informacioni të publikuar për të cilin vërtetohet të jetë i pasaktë.
6. Fotografitë dhe dokumentet nuk guxojnë të falsifikohen dhe/apo të përdoren në mënyrë të gabueshme.
7. Gazetari nuk guxon të bëjë plagjiat dhe duhet të theksojë burimin e informatës që është publikuar diku tjetër.
III. Nxitja dhe gjuha e urrejtjes
1. Shtypi nuk do të nxisë veprime kriminale apo të dhunshme, pavarësisht nga situata apo rrethana.
2. Shtypi do ti bëjë të gjitha që mundet për të mos nxitur apo ushqyer urrejtje dhe pabarazi përmes:
a. Trajtimit me paragjykim të një individi apo grupi mbi baza të përkatësisë etnike, religjioze, gjinore, racore, martesore, moshore apo të paaftësisë fizike e mendore.
b. Përdorimit te shprehjeve denigruese me qellim të lëndimit dhe kërcënimit të një individi apo grupi mbi baza te përkatësisë etnike, religjioze, gjinore, racore, martesore, moshore apo të paaftësisë fizike e mendore.
3. Referencat rreth përkatësisë të një individi, të asaj racore, fetare, gjinore, të orientimit seksual apo rreth paaftësisë fizike e mendore do të zhvillohen vetëm në rastet kur informacione të tilla kanë rëndësi të drejtpërdrejtë për ngjarjen për të cilën raportohet.
IV. E drejta për t'u përgjigjur
1. Është obligim i gazetarëve, redaktorëve dhe i gazetave që të botojnë reagime dhe/ose demante kur mediat publikojnë informata të pasakta për një individ apo organizatë.
2. E drejta për t'u përgjigjur do t'ju mundësohet personave përkatës nëse botimi në fjalë përcakton se duhet të ndërmerret një hap i ti11ë për qëllime të korrektësisë dhe paanshmërisë. Duhet të ekzistojë mundësia për publikim të menjëhershëm të reagimit përkatës në gazetën e njëjtë.
3. Gjatë raportimit dhe komentimit të një ngjarjeje kontraverse, gazetat dhe periodikët do të përpiqen t'i dëgjojnë dhe t'i përfaqësojnë të gjitha palët në kontest. Nëse njëra palë brenda kontroversës refuzon të jetë në dispozicion për gazetarin, publikimi gjatë raportimit të vet do të duhej ta theksojë këtë refuzim.
V. Personat e akuzuar për vepra penale
1. Gazetat dhe periodikët nuk do ta trajtojnë asnjë individ si fajtor, para se një vendim i tillë të mos konfirmohet nga gjykata.
2. Gazetarët dhe redaktorët janë të obliguar të mos prejudikojnë fajësinë e një personi të akuzuar.
VI. Mbrojtja e fëmijëve dhe të miturve
1. Gazetarët nuk do të duhej të intervistojnë apo të fotografojnë fëmijë nën moshën 15-vjeçare rreth çështjeve të cilat bëjnë fjalë për familjen e tyre, pa pëlqimin e prindit apo të ndonjë të rrituri i cili është përgjegjës për fëmijën.
2. Gazetat dhe periodikët në asnjë mënyrë nuk do të identifikojnë fëmijët nën moshën 15-vjeçare të cilët janë të përzier në vepra penale, qoftë si dëshmitarë apo të pandehur.
VII. Intima
- Shtypi do t'u shmanget ndërhyrjeve dhe kërkimeve në jetën private të një individi, pos nëse ndërhyrjet apo kërkimet e tilla janë të nevojshme për arsye të interesit publik.
2. Trajtimi i rrëfimeve mbi tragjeditë personale duhet të zhvillohet me kujdes, ndërkohë që ndaj individëve të prekur me tragjedi duhet të kihet qasje mirëkuptimi dhe diskrecioni.
VIII. Korrupsioni dhe mitoja
1. Gazetarët nuk do të pranojnë poste, mito apo cytje të tjera të cilat shkaktojnë konflikte interesash me profesionin e tyre, dhe të cilat komprometojnë kredibilitetin e tyre moral dhe profesional.
2. Gazetarët dhe redaktorët nuk do të pranojnë akte specifike të zemërgjerësisë, të cilat do të mund të ndikojnë në pavarësinë e tyre profesionale.
IX. Të drejtat e autorëve
1. Botuesit, redaktorët dhe gazetarët në asnjë situatë nuk do të insistojnë në pronësi mbi lajmin.
2. Publikimet do të mund të përdoren arsyeshëm dhe me citate të kufizuara, material nga publikime të tjera apo nga pronarë të së drejtës autoriale, pa leje të shprehur të tyre për ta bërë këtë. Megjithatë, botimi i materialit komplet do të duhej të ishte i mundur vetëm pas lejimit paraprak, të dhënë nga mbajtësi i të drejtës autoriale.
X. Reklamat dhe sponsorimi
1. Reklamimi komercial e politik, si dhe materiali sponsorues përfshirë këtu edhe artikuj apo shtojca duhet të jetë qartë i dallueshëm nga përmbajtja editoriale dhe të identifikohet qartësisht se çfarë është.
2. Materiali i sponsoruar do të theksoj dallueshëm dhe qartësisht burimin e sponsorimit.
****
Ne, të nënshkruarit më poshtë kryeredaktorë dhe botues mbështesim krijimin e një sistemi vetërregullues për mediat e shtypura në Kosovë në përputhje me praktikat më të mira evropiane
Ne deklarojmë se e pranojmë dhe pajtohemi me këtë kod të mediave të shtypura dhe se do ta aplikojmë këtë kod në publikimet tona.
Ne poashtu shprehim vullnetin për bashkëpunim dhe mbështetjen për krijimin e Këshillit të Mediave të Shtypura i cili do të implementojë këtë kod dhe do të merr vendime në raste mospajtimesh.
Prishtinë, 18 mars 2005