21 December 2016

KMShK kremton 10 vjetorin e themelimit

Në një mbledhje solemne sot Këshilli i Mediave të Shkruara kremtoi 10 vjetorin e tij. Imer Mushkolaj, kryetar i Bordit, foli për punën 10 vjeçare të Këshillit, duke theksuar se gjatë këtyre viteve ky Këshill ka shqyrtuar 500 ankesa, ka organizuar tryeza e punëtori të ndryshme për ngritjen e cilësisë së etikës në gazetari, si dhe ka organizuar për vite me radhë Shkollën e etikës së gazetarisë, në të cilën gazetarëve të rinj dhe studentëve të gazetarisë u mundësohet të mësojnë për etikën në media.

Në këtë mbledhje, ku ishin të pranishëm anëtarët e KMShK-së si dhe përfaqësues nga OSBE-ja u diskutua gjithashtu për mënyrat e financimit e Këshillit në të ardhmen. Arben Haradinaj, përfaqësues i OSBE-së foli për praktikat europiane të financimit të formave të tilla të vetë-rregullimit dhe mundësitë e financimit edhe për Këshillin e Mediave të Shkruara në Kosovë.

Bordi i KMShK-së, gjithashtu, shqyrtoi ankesën e Elvis Fekës kundër portalit Veriu.info lidhur me artikullin “Qesharake: Asistenti i Kastratit votoi 3 herë (Foto)”. Të gjithë anëtarët u pajtuan që kjo ankesë të miratohet pjesërisht, pasi u konstatua se portali Veriu.info ka shkelur Kreun II (E drejta për t’u përgjigjur) të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës.

Nga sot, KALLXO.com, Gazeta Blic, dhe Veriu.info u pranuan anëtarë të KMShK-së.