31 May 2016

KMShK merr vendim për tri ankesa

Në mbledhjen e sotme, Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës, pasi shqyrtoi ankesën e Tinka Kurtit kundër portalit të RTK-së dhe portalit Infopress lidhur me artikullin “Tinka Kurti fshehu me muaj Dardan Molliqajn dhe Albin Kurtin”, konstatoi se është shkelur Kreu II (Raportimi i së vërtetës), Kreu IV (E drejta për t’u përgjigjur), dhe Kreu VII (Privatësia). KMShK miratoi ankesën dhe konstatoi se përgjegjësinë për transmetimin e një informate nga një medium në tjetrin e bartë edhe mediumi që e ka huazuar atë informatë, në rastin konkret portali RTK Live.com e kam marrë shkrimin nga portali Infopress.

Pasi shqyrtoi ankesën e Hamit Nurës kundër portalit Lajmi.net lidhur me artikullin “Shtyhet gjykimi i policëve për marrje ryshfeti”, me ç’rast ankuesi pretendon se media nuk ka pasur të drejtë t’i botojë emrat e plotë të akuzuarve, por vetëm inicialet e tyre, KMShK konstatoi se gjykimi i tyre ka qenë publik, dhe se në këto raste media ka të drejtë t’i publikojë edhe emrat e plotë të të akuzuarve. Ankesa nuk u miratua.

KMShK, gjithashtu shqyrtoi ankesën e Kawa group kundër portalit Infokusi.com lidhur me artikullin “Kawa group fajëson ministrinë për shkatërrimin e stadiumit Adem Jashari në Mitrovicë”, dhe konstatoi se përmbajtja e artikullit nuk kontestohet as nga Kawa group, por kontestues mbetet titulli i artikullit, të cilin portali Infokusi përpiqet ta nxjerrë nga të pathënat e Kawa group për përgjegjësinë e ministrisë gjegjëse. Andaj, kjo ankesë u miratua pjesërisht.