29 June 2017

KMShK, në mbledhjen e sotme të bordit të tij shqyrtoi 14 ankesa

Nuk u miratua ankesa e Avni Bytyçit, këshillitar i Kuvendit të Kosovës lidhur me artikullin e botuar “Zyra e Kryemnistrit shpenzon 7 mijë euro për një biletë udhëtimi për këshilltarin e Veselit”, pasi portali Koha.net dhe disa portlae tjera këtë lajm e kanë marrë nga Koha Vision duke e cilësuar burimin dhe kur kanë konstatuar se fjala nuk është për një person dhe një biletë, por për disa persona, këto portale e kanë botuar përgënjeshtrimin me çka është sqaruar çështja.

Nuk u miratua as ankesa e Devolli Group kundër portalit Gazeta Express për artikullin “Albin, deputeti yt Fisnik Islamili paguhet nga Blerim Devolli 4 mijë euro në muaj”, pasi ky koment është sajuar në bazë të prononcimeve në foltore të Kuvendit, dhe portali nuk ka shtuar asgjë.

Nuk  u miratua as ankesa e Devolli Group kundër portalit Gazeta Express për artikullin “Efekti i Jahtit: Rreth 300 mijë euro komuna e Prishtinës ndan për qumështin Vita”, pasi janë kontaktuar të gjitha palët dhe se në artikull nuk mbeten çështje kontestuese.

KMShK miratoi nëntë ankesa kundër gazetës Kosova Sot lidhur me nëntë artikuj për shkak se u konstatua shkelje e Kreut II (Raportimi i së vërtetës), dhe Kreut IV (E drejta për t’u përjigjur).

KMShK miratoi ankesën e Dardafon.net dhe Blerim Devollit lidhur me artikullin “Dorëzohet Blerim Devolli – A është ky se kontrata e Z-Mobile ishte e falsifikuar”.

KMShK miratoi ankesën e Blerim Devollit kundër Gazetës Express lidhur me artikullin “Kjo është fytyra e njeriut që dështoi t’i zhvatë shtetit 32 milionë euro (Foto)”, pasi këtij opinioni i mungojnë faktet relevante, aq më parë kur për këtë ngjarje ekziston një vendim i plotëfuqishëm i arbitrazhit ndërkombëtar.