11 November 2016

KMShK organizon tryezën “Standardet e gazetarisë në Kosovë” në Graçanicë

Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës, me mbështetje nga KFOS-i, organizoi sot në Graçanicë një tryezë të rrumbullakët me gazetarët e kësaj komune lidhur me zbatimin e standardeve të etikës së gazetarisë në Kosovë, me theks të veçantë në këtë komunë.

Imer Mushkolaj, kryetar i bordit të KMShK-së informoi të pranishmit për veprimtarinë e këtij trupi vetërregullues të mediave të shkruara të të gjitha komuniteteve.

Ndërkaq, Agustin Palokaj, korrespodent i gazetës Koha Ditore nga Brukseli, paraqiti një spekter formash të bashkëpunimit ndërmjet bashkësive kryesore etnike në këtë shtet, pra edhe të Këshillëve të Mediave në Belgjikë. Ai veçmas u ndal në raportet e shumë shteteve europiane midis pronarit të medias, redaktorëve dhe gazetarëve, ku secili e ruan pavarësinë e vet në të mirë të informimit të drejtë, të pavarur dhe profesional.

Anxhelka Cup, pronare e portalit gracanicaonline, anëtare e kMShK-së, prezantoi vëzhgimet e saj rreth vetërregullimit të mediave në gjuhën serbe në Kosovë, dhe qëndrimin e tyre rreth mundësive të bashkëpunimit me të gjithë gazetarët e Kosovës. Ajo tha se këto kushte janë gati të njëjta si për mediat në gjuhën shqipe ashtu edhe për ato në gjuhën serbe. Ajo theksoi se duhet të harrojmë atë shprehjen e mërzitshme “ende nuk ka ardhur koha për bashkpunim më të ngusht midis mediave të etnive të ndryshme. Koha për këtë ka ardhur moti, por gazetarët duhet të veprojnë më me guxim. Duke kontaktuar dhe duke u njohur më mirë mund t’i flakim shumë paragjykime dhe pengesa të ndryshme”.