1 February 2017

KMShK vendos për tetë ankesa

KMShK në mbledhjen e sotme, pasi shqyrtoi ankesën e Shkëlqim Devollit kundër Kosovës Sot lidhur me artikullin: “Devollët ua morën 20 milionë euro qytetarëve vetëm përmes homologimit” konstatoi se në artikull është shkelur Kodi i Mediave të Shkruara të Kosovës sa i përket Raportimit të së Vërtetës (Kreu II) dhe të Drejtës për t’u Përgjigjur (Kreu IV), pasi nuk i është dhënë mundësia palës tjetër ose ndonjë organi kompetent që të prononcohen lidhur me këtë çështje.

Pasi shqyrtoi ankesën e Shkëlqim Devollit kundër Kosovës Sot lidhur me artikullin: “Kuvendi të kërkojë heqjen e monopoleve kriminale”, KMShK konstatoi se gazeta nuk ka specifikuar se për cilin prej Devollëve bëhet fjalë, si dhe është dashur të merret edhe qëndrimi i palës tjetër ose i ndonjë subjekti zyrtar, i cili do të prononcohej se a bëhet në të vërtetë fjalë për monopol. Andaj, KMShK vendosi se edhe në këtë rast bëhet fjalë për shkeljen e Raportimit të së Vërtetës dhe mosofrimin e mundësisë që të prononcohet edhe pala tjetër.

Për shkelje të njëjta të Kodit, KMShK vendosi edhe lidhur me artikullin: “Terminali i ri doganor thyen monopolin e Devollëve”, botuar në Kosova Sot.

Kundër po kësaj gazete gjithashtu është ankuar edhe gazetari Baton Haxhiu për artikullin: “Devollët ua morën 20 milionë euro qytetarëve vetëm përmes homologimit”. KMShK vendosi njësoj si për ankesën e Shkëlqim Devollit për të njëjtin artikull, duke e miratuar ankesën për shkelje të dy kapitujve të Kodit Etik.

Pasi shqyrtoi ankesën tjetër të Baton Haxhiut kundër gazetës Kosova Sot lidhur me komentin me titull: ”I inkriminuari Baton spekulanti”, KMShK konstatoi se ky është një shkrim që paraqet pikëpamjet e autorit dhe në disa pika është i papranueshëm por se, nisur nga fakti se është një opinion dhe jo lajm, KMShK vendosi që kjo ankesë të mos miratohet.

KMShK ka vendosur që të detajizojë disa çështje rreth kategorizimit të lajmit dhe opinionit, brenda Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, në mënyrë që të sqarohet kufiri etik mes këtyre dy kategorive.

Pasi shqyrtoi ankesën e kompanisë Dardafon.net LLC kundër portalit Gazeta Express në lidhje me artikujt: “Skandaloze: Blerim Devolli ia plaçkit Kosovës me arbitrazh 30 milionë euro”, “Letër prokurorit: Dëshiron të mbahesh mend si Aleksandri i madh apo si shoku i Haxhi Dërgutit” dhe “Arsyetimi gjakftohtë i Blerim Devollit për 26 milionët që do t’ia marrë PTK-së”, KMShK vendosi se në këtë rast vetëm në artikullin e parë kishte shkelje të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, pasi vendimi i arbitrazhit ndërkombëtar nuk konsiderohet mbështetje e plaçkitjes. Në dy artikujt tjerë nuk është konstatuar shkelje, andaj ankesa e përbashkët u miratua pjesërisht, vetëm në një pikë.

KMShK shqyrtoi edhe ankesën e Shkëlqim Devollit kundër gazetës Kosova Sot lidhur me artikullin “Partia e Mimozës dhe Ilirit, patericë e Klanit Pronto”, të cilën e miratoi pasi në artikull nuk i është dhënë mundësia palës tjetër që të prononcohet.

KMShK sot shqyrtoi edhe ankesën e Budimir Niçiq kundër portalit të RTK-së (www.rtklive.com) lidhur me një artikull të botuar në dhjetor, me titull: “Dekonspirohet rrjeti i spiunazhit rus në Kosovë”. KMShK njëzëri konsideroi se shkrimi ka shkelur kreun e Raportimit të së Vërtetës (Kreu II) si dhe kreun kundër Nxitjes së Gjuhës së Urrejtjes (Kreu III). Bëhet fjalë për një shkrim i cili mund të shkaktojë linçim publik të një gazetari të përmendur me iniciale, por të njohur për opinionin, si dhe të disa personave tjerë të cilët, në bazë të disa burimeve problematike, akuzohen si spiunë rusë, ndërsa asnjërit prej tyre, ose ndonjë organi kompetent, nuk i është dhënë mundësia të prononcohet lidhur me këtë çështje.

KMShK e konsideron të papranueshme këtë formë të raportimit, që mund ta rrezikojë sigurinë e personave të shënjestruar.

Në mbledhjen e sotme, Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës iu shtua edhe një anëtar. Anëtari më i ri i këtij trupi vetërregullues u bë Periskopi (www.periskopi.com).