6 May 2016

Ndarja e Ҫmimit të BE-së për gazetarinë hulumtuese

Të premten, më 6 maj 2016, në Prishtinë, Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës ndau 3 çmime të BE-së për gazetarinë hulumtuese. Ҫmimi i parë iu nda Besnik Krasniqit dhe Ganimet Klaiqit, gazetarë në gazetën Koha Ditore, për storien hulumtuese “Universiteti ilegal “diplomatik””. Këtë çmim fituesve ua dorëzoi Samuel Zbogar, Shef i Zyrës së BE-së në Kosovë/ Përfaqësues special i BE-së.

Ҫmimin e dytë e mori gazetari Parim Olluri për storien hulumtuese “Miku i Lushtakut përfiton nga Vala”. Këtë çmim e ndau Anamari Repic, nënkryetare e Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës.

Ҫmimi i tretë i konkursit për gazetarinë hulumtuese, i cili u shpall më 10 mars 2016, i takoi Leonida Molliqajt dhe Besnik Boletinit të Qendrës për Gazetari Hulumtuese, PREPORTR, për storien hulumtuese “Sot punon sot han”. Këtë çmim e ndau qerim Ondozi, koordinator nacional i projektit.

Arsyetimi i jurisë, e cila përbëhej nga Imer Mushkolaj, Kryetar i Bordit të Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës, Anamari Repic, zëvendës drejtoreshë e RTK-së, Besa Luci, kryeredaktore në Kosovo 2.0, dhe Artan Mustafa, gazetar i pavarur:

Juria katëranëtarëshe është takuar më 23 prill dhe ka ndarë tri çmime.

Ndërkohë që juria sinqerisht çmon dhe nxit punën e të gjithë gazetarëve hulumtues, ajo ka ndarë këto tri çmime duke vlerësuar në mënyrë të hapur e të detajuar cilësitë e të gjitha aplikacioneve në mënyrë krahasimtare. Juria ka nxjerrë vendimet e saj duke ndjekur kriteret e vlerësimit të përcaktuara me këtë çmim siç janë rëndësia e stories hulumtuese, cilësia e hulumtimit, paanshmëria, origjinaliteti dhe integriteti profesional.

Me çmimin për gazetarin e ri, Juria ka zgjedhur të mbështes gazetarët që rishtazi kanë filluar të punojnë si gazetarë hulumtues me qëllim që të stimulojë sa më shumë gazetarë të rinj që të orientohen kah gazetaria hulumtuese. Storja në fjalë është e rëndësishme, sepse trajton rrezikimin e jetës së anëtarëve më të pambrojtur e më të pasigurtë të shoqërisë gjersa përpiqen të mbijetojnë varfërinë. Protagonistë nga komuna të ndryshme – në mesin e tyre edhe nëna e fëmijë – përcillen dhe intervistohen nga shtëpia deri në mbarim të ditës kur shesin punën e tyre. Instervistat tjera me qëllim të analizës, të dhënat e tregtisë ndërkombëtare dhe të çmimeve të tregut e pasurojnë storjen. Juria gjithashtu njeh prezantimin e shumëfishtë të storjes: si video-reportazhë, storje më të shkurtër në uebsajt dhe storje të thelluar e të dizajnuar mirë në versionin e printuar. Ky çmim i ndahet storjes “Sot punon sot han”, të autorëve Leonida Molliqaj e Besnik Boletini, botuar nga Preportr që është produkt i Qendrës Kosovare për Gazetari Hulumtuese (QKGH).

Storja, së cilës i është ndarë çmimi i dytë i gazetarisë hulumtuese, ka për protagonistë kryesorë dhe të tjerë të ndërlidhur me ta disa nga njerëzit më të pushtetshëm në Kosovë. Protagonistët e manifestonin si ngjarje që i jepte hijeshi kryeqytetit, por më vonë, me gjetjet e argumentuara mirë të storjes në fjalë, doli se ajo manifestonte në mënyrë të gërditshme më shumë keqpërdorimin e parasë dhe zyrës publike nga këta njerëz të pushtetshëm. Nga këndvështrimi i origjinalitetit, përveç tjerash, juria vlerëson përdorimin cilësor të të dhënave nga historia e afërt: duke e parë rrugëtimin e këyre protagonistëve, ngjarja në fjalë bëhet edhe e besueshme edhe intriguese. Mënyra se si strukturohet një storje pas mbledhjes së të dhënave është ndërmarrja më e rëndësishme në gazetari; dhe kjo është cilësia më e lartë e storjes “Miku i Lushtakut Përfiton nga Vala” e autorit Parim Olluri botuar në Gazetën Jeta në Kosovë.

Për shumë vjet me radhë një institucion u përkrah, u mbrojt dhe u promovua nga shteti gjersa lëshonte tituj për njerëz të afërt me zyrtarë të pushtetshëm, që shkolloheshin me bursa publike e që më vonë u ngritën në karrierë për ta përfaqësuar Kosovën në qendrat më të rëndësishme diplomatike të botës. Vetëm se gjithçka ishte e kundërligjshme! Juria vlerëson mbledhjen multidiciplinare të të dhënave (intervista, dokumente, statistika etj.,), aspektin ndërkombëtar të hulumtimit e kështu daljen jashtë zonës së komoditetit, ndikimin e storjes që rezulton me vendime të autoriteteve, dhe faktin që storja ndiqet në disa seri derisa ajo të vlerësohet e shtjerruar. Çmimi i parë për gazetarinë hulumtuese i ndahet storjes “Universiteti Ilegal ‘Diplomatik’”, të autorëve Besnik Krasniqi e Ganimet Klaiqi, botuar nga gazeta Koha Ditore.

Cermonia solemne e ndarjes së këtyre shpërblimeve në vlerë prej 4000 € për vendin e parë, dhe nga 3000 € për dy vendet tjera u organizua në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës në një ambient shumë tërheqës ku morën pjesë shumë gazetarë dhe përfaqësues të jetës kulturore në Prishtinë.

Çmimi i BE-s ë për gazetarinë hulumtuese do të ndahet edhe në vitin 2017.