26 January 2016

Në mbledhjen e Bordit të KMShK-së vendoset për dy ankesa

Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës, në mbledhjen e sotme, pasi shqyrtoi ankesën e Ministrisë së Diasporës kundër portalit Bota Sot lidhur me artikullin “Këto janë skandalet e Minisrisë së Diasporës në Suedi”, botuar më 21 dhjetor 2015, konstatoi se portali është dashur ta botojë reagimin, siç e parasheh Kodi i Mediave të Shkruara të Kosovës. Përfaqësuesi i këtij mediumi tha se redaksia do ta botojë reagimin, pasi ai ka arritur në redaksi, por në mënyrë të pashpjegueshme është mënjanuar.

Gjithashtu, KMShK shqyrtoi edhe ankesën e Isa Kosumit, MPJ, kundër gazetës Zëri lidhur me dy artikuj të botuar në gazetën dhe portalin Zëri më 12 nëntor 2015, me titull “Zëvendëskonsulli Kosumi rrezikon jetën e fëmijës me leukemi” dhe “Diplomati Kosumi festoi gradimin pa u avancuar”. KMShK, pasi analizoi të gjitha materialet që i ka marrë për bazë gazeta gjatë sajimit të artikujve, konstatoi se kjo ankesë nuk miratohet, pasi nuk gjeti se është shkelur Kodi i Mediave të Shkruara të Kosovës. Ankuesi dhe MPJ nuk kanë dashur ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të reaguar. Nga ana tjetër gazeta Zëri i ka dhënë hapsirë në artikull të gjitha fakteve relevante për t’u sqaruar e vërteta rreth këtij rasti.