6 October 2016

Nis konferenca e tetëmbëdhjetë vjetore e Aleancës së Këshillëve të Mediave

Sot i ka filluar punimet konferenca e tetëmbëdhjetë e Aleancës së Pavarur të Këshillëve të Mediave të Europës (AIPCE), e cila sivjet po organizohet në Stokholm, nga Këshilli i Mediave i Suedisë. Sivjet, ky Këshill, më i vjetri i këtij lloji në Europë, ka festuar edhe 100-vjetorin e themelimit të tij.

Në këtë konferencë po marrin pjesë Këshillët e Mediave nga e gjithë Europa si anëtarë të plotë, si dhe disa Këshillë tjerë si mysafirë, siç është ai i Afrikës së Jugut, i Australisë dhe disa të tjerë.

Ndër temat që do të jenë në fokus të punimeve të kësaj konference është rregullimi i brendshëm i rrjetit, sfidat dhe presioni mbi mediat në Europë, rreziqet e dilemat etike në mbulimin e ngjarjeve të luftës e kështu me radhë.

Punimet do të vazhdojnë në grupe tematike punuese, ku do të diskutohen platformat e reja dhe sfidat e vetërregullimit, figurat publike dhe privatësia, themelimi i këshillit të mediave nga zeroja.

Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës, si anëtar i plotë i këtij rrjeti, për dhjetë vjet me radhë ka marrë pjesë në konferencat vjetore të AIPCE-s, dhe sivjet në Stokholm përfaqësohet nga Qerim Ondozi.