27 May 2015

Portali Telegraf bëhet pjesë e Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës

Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës në mbledhjen e sotme të kryesuar nga Imer Mushkolaj, kryetar i bordit të KMShK-së, pasi shqyrtoi ankesën e Kompanisë së sigurimeve “Scardian” kundër gazetës Kosova Sot lidhur me dy artikujt “Ambasadorit i licensohet Kompania e Sigurimeve” dhe “Aksionari i Scardianit, qiradhënës dhe mik i Thaqit” të botuar me 27 dhe 28 mars 2015, miratoi pjesërisht këtë ankesë duke u bazuar në pikën 1 të Kreut II të Kodit të Mediave të Shkuara të Kosovës (Raportimi i të vërtetës), i cili kërkon që gjatë punës së tyre gazetarët dhe redaktorët do të sigurojnë respekt për të vërtetën faktike dhe për të drejtën e publikut që të dijë të vërtetën. Në të dy artikujt, gazeta nuk ka arritur të argumentojë “kapjen e BQK-së” nga ana e kësaj kompanie që të marrë licensën dhe as ndikimin e Hashim Thaqit, i cili banon në një banesë të personit të lidhur me këtë kompani. Gjithashtu, artikulli ka shkelur edhe Kreun II, pika 4 në të cilin kërkohet të bëhet dallim i qartë ndërmjet lajmeve që kërkojnë vetëm fakte kurse opinionet bartin mendime, ide, gjykime vlerësuese nga gazetarët. Në të dy artikujt mungon dallimi mes lajmit dhe komentit, ku bëhet një përzierje mes fakteve dhe opinioneve.

KMShK, gjithashtu, shqyrtoi ankesën e Muharrem Shabanit, ish kryetar i Komunës së Vushtrisë, kundër gazetës Zëri lidhur me artikullin “Ish kryetari i Vushtrisë i përfshirë në fajde”. KMShK duke shqyrtuar këtë ankesë konstatoi se ky shkrimi është i mbështetur mbi një deklaratë të një dëshmitareje të koduar të dhënë në hetuesinë e EULEX-it ku përmend emrin e Muharrem Shabanit, i cili duket se ka fituar një dyqan nga një familje fajdegjinjësh nga Vushtria. Gazeta Zëri ka botuar deklaratën përgënjeshtruese të Muharrem Shabanit në artikull, si dhe deklaratat e gjyqtarëve të lidhur me rastin. Ata pohojnë se dëshmitarja më vonë ka tërhequr deklaratën e dhënë në hetuesi, por se procedura ka vazhduar në instanca të tjera gjqyqësore. Gazeta gjithashtu ka botuar në tërësi reagimin e Muharrem Shabanit, me çka ka plotësuar detyrimin, i cili del nga Kodi i Mediave të Shkruara të Kosovës. Mirëpo, KMShK konstatoi se titulli i artikullit është spekulues, se është dashur të jetë më i përcaktuar dhe së paku të përfundojë më pikëpyetje. KMShK nuk ka gjetur shkelje në artikull, por ka gjetur shkelje në pasaktësinë e titullit, sipas Kreut V të Kodit të Mediave të Shkruara, pika 2 ku thuhet se: “gazetarët dhe redaktorët janë të obliguar të mos prejudikojnë fajësinë e një personi”. Andaj, kjo ankesë u miratua pjesërisht, pra për përdorimin e gjuhës spekuluese në titull.

Në mbledhjen e sotme, KMShK miratoi edhe ankesat e Nismës së të Rinjëve për të Drejtat e Njeriut kundër portalit Indeksonline (2), Telegraf (3), Koha dhe portalit të gazetës Bota Sot, për shkak të gjuhës së papranueshme në rubrikat e komenteve të lexuesve.

KMShK konstatoi se të gjitha këto portale i kanë larguar komentet me përmbajtje të papranueshme, me çka kanë zbatuar kërkesën e Kodit të Mediave të Shkruara për reagim të shpejtë.

Sot, KMShk-së iu bashkua edhe portali Telegraf.