3 June 2015

Vendim i Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës ndaj ankesës së Artan Lahajt kundër gazetës Zëri

29 maj 2015

Në ankesë thuhet se gazeta Kosova Sot ka shpifur dhe fyer kundër Kompanisë së sigurimeve “Scardian” J.S.C duke shkelur kështu Kreun I (Dispozitat e përgjithshme), Kreun II (Raportimi i të vërtetës) dhe Kreun IV (E drejta për t’u përgjigjur) të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës duke botuar këto dy artikuj, pasi që licensa e punës së “Scardingut” është marrë në mënyrë të rregullt dhe se banimi i Hashim Thaçit në një banesë që është pronë e personit që ka pasur lidhje me kompanitë paraprake që më vonë kanë themeluar “Scardianin“, nuk është argumentuar në artikull si ndonjë lidhje që ka ndikuar në licensimin e Kompanisë së sigurimeve Scardian.

KMShK ka dëgjuar dhe shqyrtuar edhe përgjigjen e gazetës Kosova Sot lidhur me ankesën e Kompanisë “Scardian” dhe konstatimin se gazeta nuk ka pasur ndonjë kontakt me kompaninë Scardian gjatë përgatitjes së artikullit të parë: “Ambasadorit i licensohet Kompania e Sigurimeve.” Mirëpo, gjatë përgatitjes së artikullit të dytë me titull: “Aksionari i Scardianit, qiradhënës e mik i Thaçit”, përfaqësuesi i Kompanisë ka zhvilluar një bisedë zyrtare me gazetaren e Kosova Sot “ku ka dhënë spjegime për të gjitha çështjet, por fatkeqësisht ato nuk janë botuar.”

Anëtarët e KMShK-së konstatuan se në të dy artikujt ka disa fakte, por mungon balansimi i tyre, pra faktet e palës tjetër gazeta nuk i merr fare në konsiderim, me arsyetimet e ndryshme. Gjithashtu, nuk është argumentuar insistimi i gazetës Kosova Sot se “BQK u kap nga të fortët”. Këta dy artikuj shkojnë përtej fakteve.

Bordi i KMShK-së u pajtua se në këtë rast është shkelur Kreu II (Raportimi i të vërtetës) i Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, pika 1 e cila kërkon: “që gjatë punës së tyre gazetarët dhe redaktorët do të sigurojnë respekt për të vërtetën faktike, dhe për të drejtën e publikut që ta dijë të vërtetën.” Në të dy artikujt e përmendur, gazeta nuk ka arritur ta argumentojë “kapjen e BQK-së nga ana e kësaj kompanie me qëllim që të marrë licensën e as ndikimi i Hashim Thaçit, i cili vërtetë banon me qira në një banesë të një personi të lidhur me këtë kompani, por se roli i tij ndikues në këtë çështje nuk është argumentuar në artikull.

Gjithashtu, artikujt kanë shkelur edhe Kreun II të Kodit të Mediave të Shkruara, pika 4 e cila kërkon të bëhet dallim i qartë ndërmjet lajmit dhe komentit. Lajmi kërkon vetëm fakte, ndërsa komenti lejon paraqitjen e pikëpamjeve personale të autorit. Në këtë rast, lajmi është përzier me opinionet.

Pra, në të dy artikujt mungon dallimi midis lajmit dhe komentit, çka nuk lejohet sipas Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, dhe përzierja e tyre nuk shkon në të mirë të informimit të drejtë për një çështje të caktuar.

Bazuar në atë që u tha më lartë, KMShK vendosi si në dispozitiv të këtij vendimi.

Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës