11 July 2017

Vendim i Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës ndaj ankesës së Avni Bytyçit kundër portalit Koha.net

03 korrik 2017, Prishtinë,
Ref:30.05.2017\554-2017

Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës, në mbledhjen e tij të rregullt të mbajtur më 29 qershor 2017, shqyrtoi ankesën e Avni Bytyçit kundër portalit Koha.net lidhur me artikullin “Zyra e Kryeparlamentarit shpenzoi 7 mijë euro për një biletë udhëtimi për këshilltarin e Veselit” publikuar më 15 maj 2017, dhe mori këtë

 

V E N D I M

  • Ankesa nuk miratohet

 

A R S Y E T I M I

Në ankesë thuhet se është e pavërtetë se për këshilltarin e kryeparlamentarit, Kadri Veseli, është paguar një biletë udhëtimi në shumë prej 7,421.99 euro, sepse edhe sipas raportit të shpenzimeve të Kuvendit të Kosovës për vitin 2016, kjo shumë është paguar për katër bileta të aeroplanit dhe për katër persona.

Bordi i KMShK konstatoi se Portali Koha.net dhe disa portale të tjera e kanë transmetuar lajmin burimor nga Koha Vision dhe menjëherë pasi e kanë kuptuar të vërtetën, kanë botuar në tërësi reagimin dhe korrigjimin se nuk bëhet fjalë për biletën e një personi, por për katër persona.

KMShK nuk ka kompetenca të merret me mediat audio-vizuele prej nga ka ardhur lajmi burimor, por u mjaftua të konstatoi se Koha.net ka përmbushur detyrimet e tij nga Kodi i Mediave të Shkruara të Kosovës për të botuar reagimin dhe korrigjimin.

Ky vendim u mor me 7 vota mos me u miratu ankesa dhe 6 ishin kundër.

Bazuar në atë që u tha më lartë, KMShK vendosi si në dispozitiv të këtij vendimi.

 

Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës