6 May 2015

Vendim i Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës ndaj ankesës së Kujtim Isës kundër portalit Bota Sot

29 prill 2015

Portali Bota Sot më 18 shkurt 2015 ka publikuar një shkrim me titull: “Shkarkohet për korrupsion, bëhet këshilltar në MTI”. Në artikull thuhet se Kujtim Isa, ish drejtor për Kulturë, Rini dhe Sport, në Komunën e Mitrovicës, është shkarkuar nga ky post për shkak të keqpërdorimeve dhe përvetësimit të parasë publike. Fjala është, sipas shkrimit, për një udhëtim të Ansamblit të Valleve të Mitrovicës i cili ka dërguar 25 persona të Ansamblit në pushime verore, ndërsa në të vërtetë janë dërguar vetëm 5 prej tyre, kurse paratë për 20 të tjerë që nuk kanë shkuar i ka marrë Kujtim Isa. Sidoqoftë, shkrimi bazohet në një burim të paidentifikueshëm.

Në përgjigjen e tij ankuesi mohon një gjë të tillë dhe thotë se shkrimi është botuar pa burim të njohur dhe se qëllimi i artikullit është të fyejë rëndë personalitetin e tij.

KMShK ka shqyrtuar këtë ankesë edhe në mbledhjen e bordit të muajit mars 2015, ku edhe ka kërkuar nga portali Bota Sot të sjellë fakte të cilat do ta mbështesnin të vërtetën e shkrimit. Mirëpo, as në mbledhjen e muajit prill 2015, portali Bota Sot nuk ka sjellë ndonjë fakt të ri që do ta mbështeste artikullin.

KMShK ka marrë prononcimin e kryetarit të Komunës së Mitrovicës i cili thotë se Kujtim Isa nuk është shkarkuar për ndonjë keqpërdorim siç shkruan portali, por është zgjedhur si këshilltar në MTI, prandaj edhe ka dhënë dorëheqje nga posti i mëparshëm në Komunën e Mitrovicës.

Gjithashtu, përaqësuesi i portalit Bota Sot, në mbledhjen e Këshillit, ka deklaruar se janë të gatshëm të botojnë prononcimin e palës ankuese duke përmbushur kështu Kodin e Mediave të Shkruara të Kosovës.

KMShK gjen se portali Bota Sot, duke publikuar artikullin në fjalë, nuk kishte respektuar parimin e burimit të identifikueshëm të informacionit të paraparë në Kreun II, pika 2 e Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, e poashtu nuk është respektuar edhe Kreu IV i Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës (e drejta për t’u përgjigjur), për çka ankesa u miratua si e bazuar mbi këto dy pika.

Bazuar në atë që u tha më lartë, KMShK vendosi si në dispozitiv të këtij vendimi.

Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës