3 June 2015

Vendim i Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës ndaj ankesës së Muharrem Shabanit kundër gazetës Zëri

29 maj 2015

Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës ka shqyrtuar ankesën e Muharrem Shabanit kundër gazetës Zëri në lidhje me artikullin me titull: “Ish kryetari i Vushtrisë i përfshirë në fajde” botuar më 29.04.2015.

Ankuesi, pos tjerash, pohon se me këtë artikull gazeta Zëri e ka dënuar atë pa vendim gjyqësor. Pra është paragjykuar fajësia e tij. Ankuesi pohon se kurrë nuk ka pasur asnjë lidhje me familjen Gërbeshi, e cila akuzohet për fajde. Në artikull thuhet se kjo familje i ka dhënë Muharrem Shabanit një dyqan, çka nuk është aspak e vërtetë, e për këtë nuk ekziston asnjë fakt.

Gjatë shqyrtimit të këtij rasti, bordi i KMShK-së konstatoi se artikulli i gazetës Zëri është mbështetur në një dëshmi të një dëshmitareje të koduar – pra gazeta nuk ka shpikur. Dëshmitarja më vonë ka tërhequr dëshminë, që përmendet edhe në artikull, dhe çështja ka vazhduar në instanca të tjera.

KMShK konstatoi se gjatë përgatitijes së artikullit në fjalë, gazeta ka marrë dhe ka botuar prononcimin e Muharrem Shabanit dhe të gjyqtarëve që janë marrë me rastin deri tani, kështu që është e qartë se nuk është shkelur Kodi i Mediave të Shkruara të Kosovës.

Mirëpo, KMShK ka gjetur shkelje në titull, sipas Kreut V, të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, pika 2 ku thuhet: “Gazetarët dhe redaktorët janë të obliguar të mos prejudikojnë fajësinë e një personi të akuzuar”.

Bordi i KMShK-së njëzëri vendosi se titulli i artikullit është spekulues dhe është dashur që të paktën të përfundojë me pikëpyetje.

Bazuar në atë që u tha më lartë, u vendosi si në dispozitiv të këtij vendimi.

Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës