10 November 2015

Vendim i Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës ndaj ankesës së prof. Asoc. Dr. Zeqir Veselajt kundër gazetës Zëri

Prof.Asoc.Dr Zeqir Veselaj, ka paraqitur një ankesë kundër gazetës Zëri lidhur me artikullin e botuar më 1 tetor 2015 me titull “Dy plagjiatë në Bordin e UP-së”.

Ankuesi pretendon se gazeta Zëri nuk e ka kontaktuar për tu prononcuar mbi çështjen, edhepse është e njohur si thotë ankuesi jam shumë i hapur për media. Gjithashtu ankesa pretendon se komisioni i ekspertëve të Fakultetit të Shkencave natyrore-shkencore nuk ka mandat ta vlerësojë tezën e doktoraturës së mbrojtur në Tiranë. Ai pretendon se me artikullin në fjalë është dëmtuar rëndë personaliteti i tij si individ, si person publik dhe profesor universitar.

KMSHK, pasi analizoi me kujdes ankesën dhe dëgjoi përfaqësuesin e gazetës Zëri, konstatoi se Komisioni i Fakultetit të Shkencave Matematikore-Natyrore ka marrë mandatin ta japë mendimin e vet shkencor lidhur me nostrifikimin e Doktoraturës në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teklnologjisë së Kosovës të kandidatit Zeqir Veselaj të mbrojtur në Universitetin e Tiranës.

Ky komision në raportin e tij të datës 08.09.2006, ndër të tjera kishte konstatuar se disertacioni i doktoraturës me titull “Mycoflora në disa masive pyjore të Kosovës” e kadidatit Zeqir Veselajt, “ka pak rezultate të paraqitura, por edhe mjaft mangësi që sipas kritereve të tyre nuk mund të tolerohen për arritjen e gradës shkencore për të cilën kandidati pretendon. Punimi përmbanë gjëra që nuk janë rezultat i punës së kandidatit, ka shumë përshkrime dhe kopjime të panevojshme dhe kandidati ka marrë pjesë nga autorët si dr. Ferat Rexhepi etj.

Për sa i përket publikimit të reagimit të ankuesit, gazeta Zëri ka sqaruar se i njëjti nuk ka arritur në redaksinë e tyre, dhe pasi të njëjtin e morën nga Sekretaria e KMShK-së u obliguan ta botojnë.

Provë: Raporti i Komisionit të Fakultetit të Shkencave Matematikore-Natyrore, i bashkangjitur me shkresën nga sekretari i këtij Fakulteti nr. 1047, data 22.09.2006.

 

Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës