9 July 2015

Vendim i Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës ndaj ankesës së Veton Surroit kundër portalit Indeksonline

9 korrik 2015

Ankuesi pretendon se teksti nis me titull që paraqet shpifje. Në formën siç është paraqitur është citimi i paskatë i një deklarate që do të mund të konsiderohet interpretim sipas qejfit të redaksisë. Titulli i tillë bombastik dhe qëllimisht i pasaktë, sipas ankuesit, ka pasur për pasojë të drejtëpërdrejtë reagimin e një grupi njerëzish që kanë hapur një faqe në facebook (Me Sami Lushtakun) me të cilën cënohet integriteti personal i ankuesit dhe ku ai kërcënohet edhe me vrasje.

Në vazhdim në ankesë thuhet se pjesa e fundit e raportimit është vënë në thonjëza që sipas redaksisë është citat i deklaratës së ankuesit dhe, sipas ankuesit, kjo është shpifje.

KMShK shqyrtoi ankesën e Surroit kundër portalit Indeksonline dhe gjeti se ajo duhet të miratohet së paku në dy pika, dhe atë sa i përket Kreut II (Raportimi i së vërtetës) dhe Kreut III (Nxitja dhe gjuha e urrejtjes) të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës. KMShK konstatoi se fjalët e botuara në artikullin e cekur më lartë nuk ishin konstatim i Surroit por ai vetëm kishte cituar Z. Uilliamson dhe Dik Martin. Këto vlerësime ishin bërë më herët nga këta të fundit dhe nuk ishin vlerësime personale të Surroit.

Portali Indeksonline përveç që kishte botuar reagimin e Surroit dhe kishte sqaruar pasaktësitë nga versioni i parë i artikullit në fjalë, ka hequr edhe komentet e lexuesve të cilët përmbajnë gjuhë të urrjetjes. Për më tepër portali Indeksonline, përmes përfaqësuesit të tij, ka marrë obligim që pas mbledhjes së KMShK-së shkrimi i publikuar të hiqet.

Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës